Zhvillohet seminari “Shqipëria përballë Gjykatës së Strasburgut”
E Shtune, 17 Maj 2014

Seminari i tretë i ASPS me temë “Drejtësia evropiane - Shqipëria përballë Gjykatës së të Drejtave të Njeriut” u zhvillua në 17 Maj 2014 në Tiranë. I ftuar në këtë aktivitet ishte z. Xhezair Zaganjori, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht lektor i të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut pranë Universitetit të Tiranës.
Seminari nisi me trajtimin e rolit dhe organizimin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, me seli në Strasburg, si një nga organizmat më të rëndësishëm të drejtësisë evropiane. Vitet e fundit Shqipëria është duke u përballur me një seri kërkesash nga ish-pronarët, të cilët kërkojnë kompensimin e tyre financiar. Vendimet e Gjykatës kanë vendosur detyrime të larta financiare për buxhetin public shqiptar, një faturë që përllogaritet që mund të arrijë deri në 50 miliardë Euro. Diskutimi me pjesëmarrësit u përpoq të shpjegonte arësyet e kësaj situate dhe disa prej zgjidhjeve që mund të gjenden në të ardhmen. Pjesëmarrësit patën rastin të njihen dhe të diskutojnë edhe mbi vendime konkrete të gjykatës së Strasburgut si dhe të Gjykatës Kushtetuese.
Në diskutime me pjesëmarrësit, z. Zaganjori trajtoi edhe temën e reformës në drejtësi, situatën aktuale dhe problematikën me të cilën përballet sistemi shqiptar.





