Zhvillohet kursi i dyte kombetar mbi lidershipin - Gjirokaster

E Enjte, 17 Prill 2014



Kursi i dytë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike u zhvillua në datat 11-13 Prill 2014 në Gjirokastër. Tematikat e këtij kursi “Lidershipi dhe komunikimi politik”, u trajtuan nga ekspertë vendas dhe të huaj, të cilët sollën eksperiencat më bashkëkohore në këto fusha.  Nëpërmjet diskutimeve të hapura pjesëmarrësit e programit patën mundësinë që të krijojnë një vizion të qartë për aspekte të rëndësishme të karrierës së tyre.
Në pjesën e  parë të kursit, Dr Frank Prochaska, nga Universiteti i Kolorados, SHBA, trajtoi temën e lidershipit në kuadrin e një ushtrimi gjithëpërfshirës me synimin për të zhvilluar baza të reja konceptuale mbi lidershipin demokratik efektiv. Pjesëmarrësit ishin në gjendje të identifikonin e të punonin për përmirësimin e aftësive të nevojshme për proceset e menaxhimit të ndryshimit nëpërmjet ushtrimeve për zgjidhjen e problemeve në mënyrë interaktive me objektiv fuqizimin e kapaciteteve individuale e ato në ekip, profilet e lidership-it, puna efektive në grup, etj. Me përfundimin e trajnimit, pjesëmarrësit morën edhe një çertifikatë trajnimi nga Pro System Intl. Colorado.
Moduli i dytë u fokusua tek tema “Angazhimit politik dhe social” si dhe “Krijimit dhe transmetimit të një mesazhi politik”. Z. Alban Bala, ekspert i PR si dhe themelues i Institutit për Marrëdhënie Publike, transmetoi udhëzime konkrete përsa i përket teknikave të komunikimit dhe angazhimit të qytetarëve në kauza të ndryshme politike, biznesi dhe sociale. Një rast studimor që u trajtua ishte dhe cështja e armëve kimike dhe reagimi qytetar që ngjalli kjo ngjarje.
Ndërsa moduli i tretë, u soll në formën e një bashkëbisedimi me z. Blendi Kajsiu, doktor i shkencave politike pranë Universitetit të New Yorkut në Tiranë, mbi  punimin e tij rreth “Europianizimit dhe dobësive të shtetit shqiptar”. Pjesëmarrësit patën mundësi të sillnin opinionet e tyre rreth kësaj cëshjeje dhe paradigmave që sjell integrimi në njërën anë dhe zhvillimi ekonomiko-politik i një vendi që shpreson të bëhet vend anëtar i BE-së. Z. Kajsiu solli edhe eksperiencën e angazhimit të tij personal në cështje të tilla si lëvizja kundër importit të mbetjeve si dhe cështjes së demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri.
Pjesëmarrësit patën mundësi gjithashtu që të vizitonin edhe qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe të njihen me historikun e tij. Zhvillimi i kursit ngjalli interes edhe nga media lokale TVGj, pjesë e Televizionit Publik, e cila pasqyroi këtë event në edicionet e lajmeve.
Linkun e kronikës mund ta ndiqni këtu.