E Enjte, 10 Prill 2014

Akademia e Studimeve Politike ishte pjesë e tryezës të rrumbullakët me fokus mbi praktikat dhe platformat më të mira për trajnimin e komisionerëve zgjedhorë, të organizuar më 31 Mars 2014 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri. Eksperienca pozitive e krijuar nga programi i ‘Edukimit të votuesve për herë të parë”, gjatë dy zgjedhjeve të fundit, u trajtua në këtë aktivitet si një shembull i mirë për t’u përdorur edhe në trajnimin e komisionerëve zgjedhorë.
Pjesëmarrësit – përfshirë përfaqësues të partive politike, ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe policisë – ranë dakord për të eksploruar më tej mënyrat për ngritjen e një qendre të trajnimit zgjedhor në Shqipëri për të rritur profesionalizmin e administratës zgjedhore dhe për të eliminuar problemet në këtë fushë.
Raportet e fundit të misioneve vëzhguese të OSBE/ODIHR-it, po ashtu, kanë nxjerr në pah nevojën për rritjen e profesionalizmit të administratës zgjedhore, edhe përmes përmirësimit të trajnimit të komisionerëve zgjedhorë.
Nëse krijohet, qendra e trajnimit do t’u shërbejë edhe grupeve të tjera të interesuara në procesin zgjedhor si, vëzhguesve, zgjedhësve që votojnë për herë të parë, medias dhe qeverisë vendore.





