Takimi i drejtorëve të shkollave, zhvillim i mëtejshëm i rrjetit të shkollave

E Marte, 08 Prill 2014



Takimi vjetor i drejtorëve të 19 shkollave politike të Këshillit të Evropës u zhvillua këtë vit në Venecia në datat 3 dhe 4 prill. Mbledhja u organizua në zyrën e Këshillit të Evropës pranë qytetit të njohur Italian, i cili është gjithashtu edhe qendra e Komisionit të Venecias, një tjetër strukture të rëndësishme të Këshilli të Evropës.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi dhe koordinimi i drejtorëve të shkollave për mbarëvajtjen e programit të shkollave në vendet e tyre respektive, por njëherazi edhe fuqizimi i rolit të pjesëmarrësve të shkollave në Forumin Botëror të Demokracisë, që do të zhvillohet në datat 3-5 Nëntor2014, në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg.
Në fokus të këtij eventi ishte gjithashtu gjetja e rrugëve të mëtejshme të angazhimit të alumnëve të shkollave politike, një rrjeti që numëron mijëra pjesëmarrës në vendet ku zhvillohet programi. Diskutimet dhe idetë e ndryshme mbi këtë angazhim, do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm ndërmjet drejtorëve dhe Këshillit të Evropës, me qëllim sigurimin e një terreni të duhur për rritjen e rolit të alumnëve.
Tematika e barazisë gjinore me fokus në rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë, u trajtua në formën e një ëorkshop, ku drejtorët analizuan situatën në vendet e tyre dhe diskutuan rreth mundësisë së përfshirjes së mëtejshme të kësaj teme në programet e shkollës.