Shoqata e shkollave politike denoncon dënimin politik të kolegut azer

E Merkure, 19 Mars 2014



Shoqata Evropiane e Shkollave të Studimeve Politike të Këshillit të Evropës (EASPS), e cila përbëhet nga drejtorët e 19 shkollave politike, dënon më forcë dënimin e sotëm me shtatë vite burg për kolegun, Ilgar Mammadov, drejtor i shkollës azere.

Z. Ilgar Mammadov, lideri i lëvizjes opozitare REAL Movement në Azerbajxhan dhe nënkryetari i partisë Musavat, z. Tofik Yagublu, mbahen të izoluar që prej muajit shkurt 2013.
Sipas ambasadës amerikane në Baku, e cila ka vëzhguar nga afër “procesin gjyqësor”, “vendimi i gjykatës ishte i pabazuar në prova dhe i motivuar politikisht”.

Akuzat e ngritura ndaj z. Mammadov, njëri prej figurave kryesore të forcave demokratike azere, synojnë heshtjen e një zëri opozitar.

Ky veprim i autoriteteve të Azerbajxhanit shkel çdo angazhim dhe detyrim të këtij vendi si një anëtar i Këshillit të Evropës dhe firmëtar i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo shkelje e rëndë, ndodh vetëm disa javë përpara se Azerbajxhani të marrë kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. 

EASPS, presidente e së cilës është ish-ministrja franceze Catherine Lalumière, kërkon nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, marrjen e  masave për respektimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Azerbajxhan duke kërkuar rrëzimin e çdo akuze dhe lirimin e pakushtëzuar të Ilgar Mammadov, Tofig Yagublu dhe çdo të burgosuri tjetër politik në këtë vend.