Zhvillohet takimi i alumneve 2007-2013

E Enjte, 19 Dhjetor 2013



Në 19 dhjetor 2013, në mjediset e hotel Tirana International, u organizua takimi vjetor i alumnëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Më shumë se njëqind ish-pjesëmarrës të këtij programi të viteve 2007 - 2013, u mblodhën së bashku në këtë fundvit për të diskutuar mbi forcimin e rrjetit të alumnëve. Disa nga pikat kryesore të diskutuara ishin nevoja për të rifreskuar informacionin dhe karrierën e alumnëve; prezantimi i revistës vjetore të alumnëve si dhe prezantimi id y programeve të reja rajonale të shkollave politike si Akademia Rajonale për Demokraci dhe cikli i kurseve rajonale të alumnëve.

Të pranishëm në këtë event ishin shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Tirana, Z. Marco Leidekker si dhe Znj. Anne Savary, zv.drejtore e Agjencisë Zvicerane të Bashkëpunimit në Shqipëri. Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase, nënvizoi në fjalën e tij, rëndësinë e rrjetit të alumnëve të SHSHSP si përçues të vlerëave më të mira në zhvillimin e një shoqërie demokratike shqiptare.  Projektet e reja që u prezantuan në këtë takim, do të shërbejnë si shtysë e mëtejshme e angazhimit civik të alumnëve dhe rritjes së bashkëpunimit mes tyre.

Z. Leidekker garantoi të pranishmit për të mbështetjen e mëtejshme që do të japë Këshilli i Evropës për nxitjen e angazhimit të alumnëve të shkollës politike.  Një nga fushat e angazhimit të alumnëve, e theksuar edhe nga diskutimet e të pranishmëve ishte dhe ofrimi i ekspertizës profesionale në fusha të ndryshme ku alumnit vazhdojnë karrierën e tyre.

Vazhdimi i aktivitetit në formën e një koktejli shërbeu si një mundësi e mirë për alumnit e shtatë gjeneratave të ndryshme për t’u njohur më mirë dhe shkëmbyer kontaktet e tyre.