Seminare mbi shkrimin akademik dhe esetë

E Marte, 16 Korrik 2013



Programi i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike përfshin edhe trajnime specifike mbi shkrimin akademik dhe esetë që prezantohen në paralel me procesin e shkrimit të eseve. Më 5 dhe 15 Korrik 2013 u organizuan në Tiranë dy sesione të tilla nën drejtimin e koordinatorit të përgjithshëm për ushtrimin e shkrimit të eseve, z Bernard Zeneli. Pjesëmarrësve iu shpjeguan teknikat dhe elementët e stilit për shkrimin argumentues dhe analitik. Ata gjithashtu marrin dhe do të marrin në vazhdim shpjegime dhe rekomandime nga ekspertët që punojnë në këto fusha, të përzgjedhura sipas tematikave për përgatitjen e eseve.

Me përfundimin e ciklit të programit të shkollës, pjesëmarrësit duhet të prezantojnë një ese përfundimtare mbi një temë të zgjedhur prej tyre që ka lidhje me tematikat e programit. Për vitin 2013 u identifikuan e propozuan tre tema madhore e me spektër të gjerë:

- Politikat e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri
- Institucionet dhe demokracia funksionale në Shqipëri
- Partitë Politike dhe Zgjedhjet në Shqipëri.

Esetë e pjesëmarrësve përbëjnë mjete të rëndësishme kërkimore që mund të përdoren nga vetë ata apo alumnit e ASPS në diskutime publike dhe iniciativa avokuese në fushat e tyre të interesit. Në vitin 2012 u përzgjodhën nëntë ese si pjesë e koleksionit të eseve mbi qeverisjen e mire, të cilat u botuan nga ASP dhe janë tashmë publike si një botim dhe gjithashtu edhe në faqen zyrtare të internetit.