E Premte, 10 Maj 2013

Kursi i tretë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike u zhvillua në Durrës nga datat 10-12 Maj 2013. Tematika "Shqipëria dhe integrimi evropian" u trajtua në disa këndvështrime nga lektorë dhe ekspertë të njohur si ministrja e Integrimit Znj. Majlinda Bregu, kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit Z. Ditmir Bushati, si dhe presidenti i Universitetit Evropian të Tiranës, Z. Adrian Civici. Organizimi i brendshëm i Bashkimit Evropian dhe shërbimit të tij diplomatic, u soll në një format praktik nga diplomati francez dhe njëkohësisht një njohës mjaft i mirë i realitetit politik shqiptar Z. Hubert Petit.
Në seksionin mbi Politikën e zgjerimit të BE-së: një vështrim i përgjithshëm nga Shqipëria, Kryetari i Komitetit Parlamentar për Integrimin Evropian bëri një prezantim mbi rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe shpjegoi mekanizmin e para-aderimit, së bashku me kushtet për të përfituar statusin kandidat në BE. Pjesëmarrësit më pas diskutuan rreth impaktit të zhvillimeve politike për procesin e integrimit të vendit në BE.
Ndërkohë, ministrja e Integrimit, znj. Bregu, u ftua në këtë kurs për të kryer një bashkëbisedim me pjesëmarrësit në lidhje me ecurinë e deritanishme të procesit dhe sfidat që e presin vendin tonë. Pyetjet u fokusuan tek problematika dhe vonesat që i ka sjellë mungesa e dialogut politik këtij procesi mjaft të rëndësishëm.
Pikërisht për të njohur më mirë problematikën e dialogut politik shqiptar, shërbeu edhe diskutimi praktik mbi librin e lektorit tjetër të ftuar, Z.Hubert Petit, të titulluar "Kafe-Dialog". Autori, si një nga negociatorët e marrëveshjeve politike shqiptare të vitit 2007-2008, zbuloi për herë të parë për pjesëmarrësit e Shkollës disa prapaskena të negociatave mes politikanëve shqiptarë dhe rolin që ka luajtur diplomacia evropiane.
Prezantimi i ekspertit të financave, Z. Adrian Civici, trajtoi krizën ekonomike në BE dhe pasojat që mund të sjellë ajo për procesin e integrimit. Z. Civici argumentoi gjithashtu se Shqipëria duhet të përcaktojë një strategji të qartë të zhvillimit të saj ekonomik përpara se të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Për të forcuar më tej lidhjet mes pjesëmarrësve dhe rrjetit të pjesëmarrësve të brezave të mëparshëm, përfaqësues të këtij rrjeti u ftuan që të ishin të pranishëm dhe gjithashtu të moderonin sesionet e kursit.
Ky kurs u zhvillua qëllimisht në periudhën e "Javës evropiane", e cila shoqërohet me një sërë aktivitetesh promovuese për Bashkimin Evropian dhe integrimin. Bashkëbisedimi me ministren Bregu u transmetua nga televizioni "Ora News" si dhe u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Integrimit.





