E Merkure, 21 Nentor 2007
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një përfaqësi të drejtuesve, pedagogëve dhe studentëve të Shkollës shqiptare të Studimeve Politike, që mbështetet nga Këshilli i Evropës dhe që prej një viti ushtron aktivitetin e saj akademik në vendin tonë.
Pjesëmarrësit në këtë takim shprehën në radhë të parë mirënjohjen për pritjen e rezervuar nga Kryetari i Shtetit dhe interesimin e tij për veprimtarinë e këtij institucioni akademik. Gjatë bisedës së hapur e miqësore me Presidentin Topi, ata vunë në dukje disa prej nismave të ndërmarra për realizimin me sukses të misionit për trajnimin e brezit të ardhshëm të udhëheqësve politikë, ekonomikë, socialë dhe kulturorë. Bashkëbiseduesit e njohën Presidentin me çështjet kryesore të përfshira në kurrikulat e Shkollës shqiptare të Studimeve Politike mbi demokracinë funksionale, raportet rajonale, integrimin evropian, sfidat e globalizimit dhe e ftuan Presidentin Topi të japë mbështetjen e tij për realizmin e projekteve akademike të saj.
Nga ana e tij, Presidenti Topi i përcolli të pranishëmve në takim konsideratat më të mira për misionin e kësaj shkolle në shërbim të edukimit profesional të brezit të ri që do të angazhohen në politikë, si në aspektin praktik, ashtu dhe atë studimor të saj. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se kjo do t’i shërbejë rritjes së nivelit të debatit politik në vend për çështje jetike dhe strategji të rëndësishme e afatgjata për zhvillimin e Shqipërisë në të ardhmen, si dhe do të jetë një kontribut me vlerë në kuadër të realizimit të standardeve integruese në familjen evropiane. Presidenti Topi u shpreh gjithashtu i gatshëm të mbështesë nismat e stafit akademik të Shkollës shqiptare së Studimeve Politike, përmes bashkëpunimit akademik e institucional.