E Premte, 02 Maj 2025

02.05.2025 - Rëndësia e votës dhe e procesit zgjedhor, vlera e programeve politike dhe integritetit në zgjedhje ishin pjesë e diskutimit me të rinjtë votues për herë të parë në shkollën e mesme “Abdulla Keta” në Shkozë, Tiranë.
Bashkëbisedimi u organizua nga ekspertët Erjon Tase dhe Granit Sokolaj, si pjesë e projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme - Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, të zbatuar nga Instituti i Studimeve Politike dhe Akademia e Studimeve Politike, mbështetur nga Ambasada e Mbretësisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA.
Të rinjtë nxënës maturantë dhe votues për herë të parë më 11 maj 2025, zhvilluan një diskutim të hapur, interaktiv dhe inkurajues për përfshirjen sa më të gjerë të tyre në proceset politike dhe vendimmarrëse në vend.
Më pas, maturantët u bënë pjesë e një ushtrimi simulimi praktik të procesit të votimit me synim ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e votes dhe ushtrimin e kësaj të drejte të fituar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.