E Enjte, 17 Prill 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), dhe Akademia e Studimeve Politike (ASP) nisën programin e edukimit zgjedhor për më shumë se 20 mijë maturantë në shkollat e mesme të vendit që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit 2025. Ky program është pjesë e projektit të Këshillit të Evropës (KiE) “Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri (SEI)” dhe mbështetet financiarisht nga Republika Federale e Gjermanisë.
Në vijim të nënshkrimit të Memorandumin tripalësh të Bashkëpunimit për zbatimin e programit, z. Ilirjan Celibashi, Kryetari i KQZ-së, pati një takim me Ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, z. Karl Bergner, dhe drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re.
Duke shprehur mirënjohjen ndaj Ambasadës së Gjermanisë dhe Këshillit të Evropës për mbështetjen e vazhdueshme, Kryekomisioneri Celibashi, theksoi rëndësinë e këtij program për rritjen e edukimit dhe pjesëmarrjes së të rinjve në proceset demokratike dhe zgjedhore të vendit.
Gjithashtu ai vuri në dukje nevojën për një qasje më sistemike për edukimin e votuesve për here të parë dhe shtrirjen e edukimit zgjedhor tek komisionerët dhe trajnerët e ardhshëm, duke kontribuar në rritjen e standardeve të zgjedhjeve. Ambasadori i Gjermanisë, z. Karl Bergner, nënvizoi se ky program është një mundësi e shkëlqyer për të afruar të rinjtë me proceset demokratike dhe për të ndihmuar ata të kuptojnë rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, si pjesë e të drejtave të tyre. Ai shtoi se pjesëmarrja e rinisë është thelbësore për një demokraci të shëndetshme.
Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re, shprehu mbështetjen e vazhdueshme për KQZ-në dhe për çdo iniciativë që kontribuon në rritjen e standardeve të proceseve demokratike të vendit. Ajo vlerësoi angazhimin e institucioneve për zbatimin e programit të edukimit dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së tij.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, znj. Rezarta Alla, e cilësoi programin si një vlerë të shtuar për edukimin e të rinjve dhe konfirmoi angazhimin e Ministrisë së Arsimit për realizimin e këtij projekti, pasi i shërben rritjes së njohurive për të drejtat e të rinjve. Drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase, theksoi se programi i edukimit ka një kurrikul të akredituar dhe synon të bëhet pjesë e edukimit qytetar të maturantëve, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.
Memorandumi i Bashkëpunimit ka si qëllim implementimin e aktiviteteve për të integruar edukimin zgjedhor në sistemin shkollor dhe për të promovuar angazhimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse të vendit.