Trajnimi i mësuesve te edukimit qytetar mbi kurrikulen e edukimit mbi zgjedhjet

Mësuesit e edukimit qytetar në ciklin e arsimit 9-vjecar po trajnohen këto ditë mbi kompetencat e kurrikulës së edukimit mbi zgjedhjet të hartuar nga Këshilli i Evropës. Gjatë muajve tetor-nëntor, ASP në bashkëpunim me AKAP dhe KQZ, zhvilluan një cikël trajnimesh me drejtuesit e rrjeteve profesionale në Drejtoritë Rajonale Arsimore në Tiranë, Durrës, Korcë, Fier, Lezhë me synim rritjen e njohurive të mësuesve për forcimin e edukimit mbi zgjedhjet si pjesë e lëndës Qytetaria në ciklin parauniversitar.

Akreditimi i kurrikulës mbi edukimin zgjedhor nga ASCAP dhe rritja e njohurive të mësuesve pritet të krijojë kushtet e duhura për të forcuar më tej edukimin mbi kulturën demokratike dhe zgjedhjet në sistemin arsimor formal dhe jo-formal në Shqipëri.

Programi “Edhe unë votoj!” zbatohet nga ASP me mbështetjen e Këshillit të Evropës përmes projektit “Forcimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri”, i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë, dhe i zbatuar në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP). Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, programi  targetoi mbi 20,000 maturantë në 335 shkolla të mesme të vendit duke i pajisur votuesit për herë të parë me njohuri dhe nxitur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.