Grupi i Gjelbër pjesë e aktiviteteve të Javës Europiane të Mobilitetit
Deputetët e Grupit të Gjelbër pranë Kuvendit të Shqipërisë iu bashkuan aktiviteteve ndërgjegjësuese të Javës Europiane të Mobilitetit, eventit kryesor promovues të Bashkimit European për nxitjen e lëvizjes së qëndrueshme urbane. Si një veprim konkret në këtë drejtim, parlamentarëve dhe stafit të Kuvendit iu mundësuan për transportin e tyre tre skutera elektrikë, si një mjet që redukton ndotjen dhe lehtëson trafikun.Aksioni ka për qëllim promovimin prej parlamentarëve të formave alternative dhe të zgjuara të transportit si dhe ndërgjegjësimin e deputetëve për përmirësimin e legjislacionit dhe ofrimin e stimujve për zhvillimin e transportit urban miqësor me natyrën.
Në ceremoninë e prezantimit të kësaj inisitiave, z.Arben Pëllumbi, kryetar i Grupit të Gjelbër, vendosi theksin në nevojën e rregullimit ligjor të përdorimit të skuterave elektrikë në vendin tonë, në mënyrë që këto mjete që ndihmojnë në reduktimin e gjurmës së karbonit të mos kthehen në problematike për këmbësorët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Skuterat elektrikë u mundësuan si pjesë e programit “Zhvillimi i kapaciteteve të grupeve joformale parlamentare të gjelbra nga Evropa Juglindore për qëllimet e energjisë dhe transportit në përputhje me BE-në”, i mbështetur nga Qeveria Federale Gjermane nëpërmjet Fondeve Rajonale të Hapura për Evropën Juglindore – Energji, Transport dhe Mbrojtje të Klimës, të bashkëfinancuara nga Bashkimi Evropian dhe nën zbatimin e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Politike (ASP).
Ceremonia ishte gjithashtu pjesë e aktivitetit informues me nxënës të Shkollës së Kuqe në Tiranë, të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, përmes programeve të edukimit qytetar. Diskutimi mes deputetëve dhe nxënësve u fokusua në pasojat e aktivitetit njerëzor në ndryshimet klimaterike. Deputetët shpjeguan për pjesëmarrësit të gjitha iniciativat ligjore të ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë me fokus mbrojtjen e mjedisit.
Ekspertja e ftuar, znj. Ariela Hajdarmataj, prezantoi për nxënësit konceptet kryesore të Mobilitetit Urban si dhe gjetjet dhe rekomandimet që po ofrohen për transportin publik në qytetetin e Tiranës si pjesë e projektit të Transportit Urban të Qëndrueshëm (SUTi) të GIZ.
Në fund të takimit përfaqësuesit e qytetarëve në Parlament i këshilluan nxënësit të jenë aktiv në mbrojtjen e mjedisit, duke nisur me veprime të vogla në nivel komunitar, pranë shkollës, banesës e kështu me radhë, për të shmangur pasojat e parikuperueshme në mjedis dhe shëndetin tonë.