Shkolla pjesë e Forumit Botëror për Demokraci 2025

E Premte, 14 Nentor 2025



Sesioni i 13-të i Forumit Botëror për Demokracinë u organizua pranë Këshillit të Evropës në 5-7 Nëntor 2025, duke mbledhur së bashku në Strasburg mbi 1200 pjesëmarrës nga 80 vende të botës për t'iu përgjigjur pyetjes "Demokracia në rrezik: si mund ta ringjallim atë?".

Ky edicion mblodhi përsëri udhëheqës, aktivistë, studiues dhe qytetarë nga e gjithë bota për të reflektuar mbi të ardhmen e demokracisë dhe për të eksploruar mënyra të reja për të forcuar pjesëmarrjen qytetare. Votimi nga pjesëmarrësit shpalli fituesin e cmimit për Inovacionin e Demokracisë, vlerësim, i cili iu akordua këtë vit platformës inovative të "MyPolis Citizenship Agents", nga Portugalia.

Forumi shërbeu gjithashtu si finalizim i ciklit njëvjecar të trajnimit mbi mirëqeverisjen dhe demokracinë të pjesëmarrësve të programit Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike 2025. Pjesëmarrësit e Shkollës, zhvilluan gjatë tre ditëve të Forumit një vizitë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut duke takuar gjykatësin shqiptar z. Darian Pavli. Shkolla e Tiranës dhe ajo e Prishtinës ishin së bashku në këtë bashkëbisedim mbi rolin e gjykatës dhe sfidat e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Vizita pranë misionit diplomatik shqiptar në Këshillin e Evropës është gjithashtu një mundësi për të diskutuar me ambasadorin z. Dastid Koreshi dhe njohur rolin e Shqipërisë në organizatë, lobimin për anëtarësimin e Kosovës si dhe përpjekjet për pasivizimi e adresave nga autoritetet serbe në zonat e banuara nga shqiptarët në Luginën e Preshevës.