Prezantohet analiza e pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhjet e 11 majit 2025

E Hene, 03 Nentor 2025



Rreth 47 përqind e të rinjve votues për herë të parë e ushtruan këtë të drejtë në zgjedhjet për Kuvend të 11 majit 2025, duke shënuar një rritje të pjesëmarrjes në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Të rinjtë që votuan brenda vendit, u shtuan për herë të parë në këtë zgjedhje edhe me 4.356 votues për herë të parë nga Diaspora. Këta të dhëna u prezantuan si pjesë e diskutimeve të tryezës së zhvilluar sot pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me fokus rritjen e edukimit të të rinjve mbi zgjedhjet.

Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e bashkëpunimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP) dhe Akademia e Studimeve Politike, për edukimin e rreth 20.000 maturantëve në shkollat e mesme në të gjithë vendin, që fituan të drejtën e votes.

Kryekomisioneri z.Ilirjan Celibashi, së bashku me Kreun e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re, Zv. Ambasadorin Gjerman z. Thilo Schroeter dhe drejtorin e ASP, z. Erjon Tase, theksuam nevojën për një qasje më sistemike për edukimin e votuesve për herë të parë dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset demokratike.

Diskutimet e aktorëve të tjerë të pranishëm në tryezë u përqëndruan në përmirësimin e shtrirjes së aktiviteteve tek të rinjtë dhe përfshirjen formale të edukimit zgjedhor brenda kurrikulës së edukimit qytetar në sistemin parauniversitar 9-vjeçar.

Tryeza shërbeu si një mundësi e mëtejshme për të promovuar pjesëmarrjen e të rinjve që votojnë për herë të parë në zgjedhjet e pjeshme të 9 nëntorit për kryetar bashkie në Vlorë, Tepelenë, Mat, Cërrik dhe Berat. Fushata zbatohet në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës “Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri” dhe mbështetet financiarisht nga Republika Federale e Gjermanisë.