E Shtune, 09 Nentor 2024
Në 6-8 Nëntor 2024 u zhvillua sesioni i 12-të i Forumit Botëror për Demokracinë, eventi që mblodhi së bashku në Strasburg mbi 1200 pjesëmarrës nga 70 vende të botës për t'iu përgjigjur pyetjes "Demokracia dhe Diversiteti - A mund t'i kapërcejmë ndarjet?".
Ky edicion u fokusua në mënyrën se si dezinformimi dhe narrativat politike në proceset zgjedhore mund të kristalizojnë pa dashje ndarjet shoqërore dhe të ofrojnë terren pjellor për lulëzimin e populizmit. Nëpërmjet prezantimit të 40 iniciativave dhe diskutimeve të 150 folësve të ndryshëm, u synua eksplorimi i mënyrave për të rritur mirëkuptimin midis qytetarëve për kundërshtimi i rreziqet që sjell populizmi për të drejtat dhe liritë e tyre themelore.
Votimi nga pjesëmarrësit shpalli fituesin e cmimit për Inovacionin e Demokracisë, vlerësim, i cili iu akordua këtë vit Institutit Aurora për të Drejtat e Njeriut, Brazil për iniciativën "Vota ime, vota jote, vota jonë”.
Forumi shërbeu gjithashtu si finalizim i ciklit njëvjecar të trajnimit mbi mirëqeverisjen dhe demokracinë të 22 pjesëmarrësve të programit Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, transmetoi në ceremoninë e diplomimit mbështetjen e tij për Shkollat Politike në mbi 20 vendet anëtare të organizatës, si qendra të promovimit të demokracisë dhe vlerave më të mira evropiane.
Pjesëmarrësit e Shkollës, zhvilluan gjatë tre ditëve të Forumit një vizitë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut duke takuar gjykatësin shqiptar z. Darian Pavli. Shkolla e Tiranës dhe ajo e Prishtinës ishin së bashku në këtë bashkëbisedim mbi rolin e gjykatës dhe sfidat e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Vizita pranë misionit diplomatik shqiptar në Këshillin e Evropës është gjithashtu një mundësi për të diskutuar me ambasadorin z. Dastid Koreshi dhe njohur rolin e Shqipërisë në organizatë, lobimin për anëtarësimin e Kosovës si dhe përpjekjet për nxjerrjen nga lista gri e instrumentit të MONEYVAL.