Diplomohen pjesëmarrësit e Akademisë së Sinjalizuesve të Besuar 2.0

E Premte, 01 Nentor 2024



Rreth 14 sinjalizues të rinj të besuar të internetit u certifikuan në përfundim të ciklit të dytë të Akademisë së Sinjalizuesve të Besuar. Ceremonia shërbeu gjithashtu për të vlerësuar fituesin e konkursit të zhvilluar në periudhën qershor-shtator për monitorimin e materialeve të dëmshme në rrjetet sociale.

Ermela Cekani u shpall fituese me mbi 130 raportime për materiale me përmbajte të dëmshme që nxisin ekstremizmin e dhunshëm në platformat Facebook, Instagram, TikTok, Youtube, me qëllim bllokimin e tyre nga ofruesit e rrjeteve sociale.

Ceremonia u përshëndet nga përfaqësues të institucioneve partnere në këtë program, znj. Era Gjata nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe znj. Fatilda Smajlaj, nga Qendra Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Pjesëmarrësit ishin 14 punonjës socialë, ekspertë IT dhe aktivistë me eksperiencë në programe për kundërshtimin e narrativave të gjuhës së urrejtjes, të cilët synohet të vijojnë angazhimin në raportimin e materiale të dëmshme online por edhe transmetojnë më tej njohuritë tek të rinjtë dhe grupet e tjera të shoqërisë që përballen me gjuhën e urrejtjes, shantazin me keqpërdorimin e identitetit apo edhe fenomene të tjera në rrjetet sociale që sjellin konflikte pasoja në jetën reale.

Programi “Fuqizimi i rrjetit të Sinjalizuesve të Besuar për një ekosistem kibernetik të sigurt kundër ekstremizmit të dhunshëm” mbështetet nga Ambasada e SHBA në Tiranë dhe zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.