Vlerësohen deputetët më aktivë në 2 vjetorin e Grupit të Gjelbër

E Marte, 16 Korrik 2024



Grupi i Gjelbër në Kuvendin e Shqipërisë zhvilloi sot një mbledhje informuese mbi zbatimin e objektivave të Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor. Ky takim u organizua në dy vjetorin e themelimit të këtij grupimi vullnetar që mbledh së bashku rreth 30 deputetë nga komisione dhe grupime të ndryshme politike.

Në nisje të mbledhjes, Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe njëkohësisht kryetari i Grupit të Gjelbër , z. Arben Pëllumbi, vuri në dukje nismat ligjore të zhvilluara në legjislacionin e lidhur me Agjendën e Gjelbër si dhe bashkëpunimin me parlamentet e tjera të rajonit gjatë këtyre dy viteve të aktivitetit të këtij organizimi.

Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, organizatës që koordinon aktivitetet rajonale të Grupimit, Erjon Tase, vlerësoi iniciativat e Kuvendit të Shqipërisë në përdorimin e skuterave elektrikë dhe promovimin e mëtejshëm të incentivave për energjinë e rinovueshme dhe transportin e qëndrueshëm. Njëkohësisht ftoi deputetët që të shfrytëzojnë ekspertizën e ofruar për nisma ligjore që ndihmojnë zbatimin e objektivave të Agjendës së Gjelbër.

Takimi vijoi me një prezantim të situatës së zbatimit të Planit të Veprimit të Agjendës së Gjelbër në periudhën 2022-2024, të hartuar nga ekspertët e pavarur Rodian Gjoka dhe Ray Koçi. Prezantimi synon të ofrojë informim për deputetët dhe nxitje për të rritur rolin e tyre mbikqyrës ndaj institucioneve publike.  

Mbledhja u mbyll me prezantimin e monitorimit të angazhimit të Deputetëve të Gjelbër në diskutime dhe nisma të tjera të lidhura me mjedisin dhe fushat e tjera të Agjendës së Gjelbër gjatë dy viteve të veprimtarisë së Grupit.

Gjatë këtij procesi u konstatua se:
-    në çështjet e mjedisit dhe klimës deputetët më aktivë rezultuan deputetët, Ismet Beqiraj, Arben Pëllumbi dhe Helidon Bushati;
-    në çështjet e Energjisë deputetët më rezultuan Lefter Gështenja Arben Pëllumbi, Xhelal Mziu dhe Helidon Bushati;
-    në çështjet e transportit deputetët më aktivë rezultuan Ferdinant Xhaferraj dhe Emilja Koliqi

Një vlerësim si deputeti më aktiv gjatë këtyre dy viteve i Grupit të Gjelbër iu akordua z.Ismet Beqiraj. Të pranishmit vlerësuan angazhimin professional të z.Beqiraj në diskutimet dhe amendamentet e ligjit të gazeve serrë si dhe diskutimet e drafteve të tjera ligjore.

Anëtarët e Grupit të Gjelbër janë angazhuar në nisma dhe bashkëpunime me parlamentarët në rajon mbi zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë, mobilitetin urban dhe ndryshimet klimatike.  Ky bashkëpunim rajonal mundësohet nga Qeveria Gjermane dhe Komisioni Evropian, në kuadër të Fondit të Hapur Rajonal për Evropën Juglindore-Energjisë, Transportit dhe Mbrojtjes së Klimës (ORF-ETC), i cili zbatohet bashkërisht nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe Rrjeti i Shkollave të Studimeve Politike në Ballkanin Perëndimor.